4 Mënyra të Shpejta për tu Furnizuar me Energji

Ju kanë rënë bateritë? Keni nevojë për energji? Mos ‘u falni’ tek sheqeri apo pijet energjike. Ka mënyra më të mira për të marë energji shpejt dhe që zgjat në kohë.
Lodhja është një simptomë, jo një sëmundje, por ja që duhet korigjuar. Lodhja ka origjina të ndryshme, vjen nga stërmundimi fizik, stresi, pagjumësia, kequshqyerja, etj, etj.
Po ju tregojmë disa mënyra të thjeshta si të kurseni energjinë apo ta rimerni atë sa më shpejt.
Merreni shtruar
Nëse e kapni shpesh herë veten duke vrapuar për të përmbushur sa më shumë detyra që keni, atëherë qetësohuni pak dhe merreni më shtruar. Nëse doni t’i bëni gjërat mirë kushtojini kohën e duhur. Në vend që ta digjni të gjithë baterinë tuaj në mëngjes, ndajini detyrat që keni përgjatë ditës. Bëni diçka në mëngjes, të tjerat në drekë dhe disa në darke. Në këtë mënyrë do të shmangni lodhjen e tepërt që vjen nga bërja e shumë gjërave në një kohë të shkurtër. Kujdes, gjithmonë pushoni pak dhe mos kryeni aktivitet pas ngrënies së vakteve.
Bëni një shëtitje apo merrni një sy gjumë
Nuk ka asgjë më të mirë se sa të bëni një pushim të vogël, një gjumë qoftë edhe 20-30 minutësh pas dreke apo kur e shihni se jeni vërtetë përtokë. Por nëse vuani nga pagjumësia në mbrëmje dhe ky pushim do t’ju pengonte, atëherë bëni një shëtitje të shkurtër në ajër të pastër. Do t’ju japë energji dhe do t’ju relaksojë.
Bëni kujdes me suplementet
Ndodh që suplementet që ndoshta i merrni per t’ju dhënë energji, ju bëjnë më keq. Mos merrni asnjëherë vitamina të kota me mendjen tuaj, nëse nuk keni deficienca. Për shembull, mos merrni vitamina me hekur shtesë, nëse realisht nuk keni nevojë për këtë vitamin, apo një multivitaminë, nëse parametrat tuaj në kontrollin vjetor janë brenda normave. Ato ju përkeqësojnë gjendjen shëndetësore. Konsumoni pa limit, fruta dhe perime.
Ushqehuni me mençuri
Një ëmbëlsirë nga pastiçeria ju jep energji për momentin, por ajo absorbohet shumë shpejt nga metabolizmi dhe rikthimi në gjendjen fillestare është i shpejtë. Mund të mbani një nivel të mirë energjie nëse konsumoni vakte të pakta në sasi dhe të shpeshta. Provoni një kos të bërë vetë me fara të ndryshme dhe mjaltë si vakt të ndërmjetëm. Do të tretet më ngadalë dhe do t’ju japë më shumë energji. Mos anashkaloni asnjë vakt, trupi juaj ka nevojë për kalori për të rezistuar.


You must be logged in to post a comment.