Biskota të shijshme për Vetëm 15 Minuta

Biskota të shijshme për Vetëm 15 Minuta

Nëse edhe ju si unë, keni fëmijë ‘llupësa’ pas brumërave dhe ëmbëlsirave, po ju jap një recetë të shijshme për ta në mënyrë që mos ti drejtohen pastiçerive apo dyqanit të lagjes. Për vetëm 15 minuta mund të bëni disa biskota të shijshme, që shkrijnë në gojë. Mjafton të keni përbërësit e duhur.

Përbërësit

100 gr gjalpë i freskët, organik dhe i butë;

70 gr sheqer pluhur;

1 e verdhë veze fshati;

1 majë luge kafeje kripë;

1 gotë uji e vogël miell bio mundësisht; dhe

Rreçel i bërë vetë (idealja).

Përgatitja

Në një tas hedhim gjalpin dhe sheqerin pluhur i rrahim me përgatitësin e ëmbëlsirave sa bashkohet masa dhe bëhet kremoze. Shtojmë kripën dhe të verdhën e vezës dhe rrahim sërish. Më pas shtojmë miellin pak nga pak duke e rrahur dhe bëhet një masë kremoze homogjene. Kjo përzierje kërkon vetëm 3 minuta. Ndërkohë keni ngrohur furrën në 170 gradë.

Me duar formoni topa të vegjël dhe vendosini në tavë ku keni vendosur një letër pjekjeje. Pasi i keni vendosur me hapësirë topthat e vegjël që dalin diku tek 20 të tillë, krijojini një si gropë me gishtin e madh të dorës dhe aty vendosni rreçel. Piqini për 12 minuta dhe gjithçka gati.

Do t’ju shkrihen në gojë dhe fëmijët i adhurojnë.

Ndani me miqtë tuaj:



Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial