Përballoni të Ftohtin me ‘Sallatën e Dashurisë’

Përballoni të Ftohtin me ‘Sallatën e Dashurisë’

Me vetëm dy përbërës dhe pak fantazi mund të kompozoni një sallatë fantastike në këtë periudhë.

Pse jo të përfshini edhe fëmijët në përgatitje, jo vetëm që do të argëtohen por do ta shijojnë dhe nuk do të bëjnë naze në konsumimin e saj. Zgjodha dy shije të forta si lakra e kuqe dhe karrota, jo vetëm për ngjyrat shpërthyese por edhe për vlerat e mrekullueshme që kanë.

Karrota është e pasur me vitaminë A,C dhe B dhe në dimër këshillohet të konsumohet përditë pasi ju siguron edhe kalcium, kalium dhe magnez. Është një perime fantastike për të mbrojtur mushkritë dhe lëkurën.

Lakra e kuqe nga ana tjetër jo më kot lulëzon në këtë periudhë, pasi përmban shumë vitaminë C e domosdoshme për tu mbrojtur nga virozat. Konsumi i saj siguron 85% të vitaminës C që një personi i duhet në ditë. Është shumë e pasur me antioksidantë dhe mbi të gjitha është nga të paktat perime që ka nivelin më të ulët të pesticideve.

Për sallatën nevojiten:

Dy karrota të mëdha;

Gjysëm lakër e kuqe;

Kripë;

Vaj;

Limon.

Përgatitja

Grijmë lakrën në rende imët. Më pas i hedhim kripën dhe e shtypim me dorë sa të arrijë të zbutet dhe të shohim që lëshon pak lëng. E lemë mënjanë.

Më pas marrim karrotën dhe e grijmë në rende dhe atë. I hedhim kripë, vaj dhe limon. Për të marrë vlerat më të mëdha të karrotës, nëse dëshironi pasi t’i qëroni hidhini një minutë në ujë të valuar dhe më pas grijini.

Bashkojini bashkë në formën e zemrës dhe hidhini sipas dëshirës limon dhe vaj ulliri ekstra të virgjër. Shija e mrekullueshme.

Ndani me miqtë tuaj:



Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial