Merrni Dozën e Duhur të Hekurit me Japrak me Spinaq dhe Shumë Erëza

Merrni Dozën e Duhur të Hekurit me Japrak me Spinaq dhe Shumë Erëza

Bëni një darkë ndryshe për veten dhe fëmijët me japrakë të thjeshtë me erëza dhe spinaq. Gjethet e rrushit, që gjenden kollaj në treg në këtë periudhë kanë dozën e duhur të hekurit dhe kombinuar me spinaqin do t’ju japin fuqinë e duhur që ju nevojitet. Për më tepër, mund të përgatisni një darkë të mirë e të shëndetshme për të gjithë familjen me më pak se 200 lekë.

Përbërësit

1 tufë e madhe spinaq (zgjidhni atë më gjethe vogël që gjeni në treg);

1 gotë uji oriz;

4 tufa kopër;

4 tufa majdanoz;

4 qepë të njoma të vogla;

Vaj ulliri ekstra i virgjër;

Kripë (sipas dëshirës);

4 tufa gjethe rrushi (zakonisht kanë nga 10-13 gjethe/për tufë).

Përgatitja

Në një tenxhere me ujë të valuar dhe një lugë kripe, zieni për 7 minuta gjethet e rrushit që duhet të jenë diku tek 50 copë.

Në një tenxhere skuqni qepën e grirë hollë me zjarr të ulët, sa ajo të marrë pak ngjyrë të lehtë. Hidhni spinaqin e grirë dhe të gjitha erëzat e grira hollë, kripë sipas dëshirës dhe në fund orizin.

Kavërdiseni për 5 minuta të gjithë përbërjen.

Pasi të keni nxjerrë nga zjarri gjethet e ziera, shtroni në një tjetër tenxhere në fund të saj gjethet e rrushit që janë më të vogla e nuk do dilnin mirë po ti mbushnit. Hidhni pak vaj ulliri the shtroni me rradhë gjethet e tjera të mbushura me harxhin që kavërdisët për 5 minuta. Pasi t’i keni shtruar gotën që përdorët për orizin përdoreni të mbushur me ujë si masë. Pra për një gotë oriz, hidhni dy gota ujë. Vendosini një pjatë sipër që të rëndojë dhe lereni të ziejë derisa të pijë të gjithë ujin me zjarr të avashët. I tërë procesi nuk kalon 50 minuta. Dhe do të keni për familjen tuaj një darkë të shëndetshme dhe shumë të shijshme.

Vlerat ushqyese

Gjethet e rrushit përmbajnë vlera të larta hekuri, vitaminë A dhe C dhe shumë flavonoide që ju mbrojne nga sëumndjet.

Ndërkohë që spinaqi është një burim i shkëlqyer i vitaminave K dhe A, Magnez, folate dhe vitaminat B.

Qershia mbi tortë në këtë gatim janë erëzat. Sasia e madhe e majdanozit dhe e koperit të përdorur që ju sigurojnë anti-oksidantë fantastikë që luftojnë kancerin, mbrojnë zemrën dhe sytë.

Ndani me miqtë tuaj:
Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Pinterest
Pinterest
Instagram